Ndikimi i Remitancave në Ekonominë Shqiptare në Vite

Që nga viti 1992, kur nisën flukset e para të prurjeve të emigrantëve, deri në fund të 2019-s, janë futur në ekonominë shqiptare 29 miliardë dollarë nga emigrantët. Ato kanë furnizuar me të ardhura 13% të buxhetit të familjeve duke luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në ekonominë e vendit tonë. Pothuajse 50% e remitancave kanë janë përdorur për konsum final dhe pjesa tjetër për tu arsimuar dhe shërbime të tjera.

Përpos kostove që krijohen nga rrudhja e kapitalit njerëzor, emigrantët janë shndërruar në kontribuesit më të mëdhenj në ekonominë tonë, nëpërmjet dërgesave të rregullta pranë familjeve.

Studime të ndryshme tregojnë se remitancat kanë qenë nxitësi kryesor për zbutjen e varfërisë, gjithashtu emigrantët, me përvojën e tyre kanë ndihmuar në zhvillimin e aftësive të familjarëve nëpërmjet investimeve në shkollimin dhe në kurimin e tyre. Kontributi i tyre vjetor përllogaritet sa 10% të PBB-së. Remitancat në vlerë kanë qenë financuesi kryesor i bilancit të pagesave, duke sjellë monedhë të huaj në ekonomi më shumë se investimet e huaja direkte. Gjatë viteve 1991-2007, remitancat ishin më të larta se eksportet, Investimet e Huaja Direkte dhe ndihmat zyrtare për vendin tonë.

Efektet e mundshme makroekonomike të remitancave pasqyrojnë strukturën e konsumit të familjeve shqiptare gjatë këtyre viteve. Mirëpo përfitueshmëria më e madhe e remitancave do të ishte nëse ato do të investoheshin në prodhim. Një studimin për rastin e Meksikës ka treguar se 1 $ i remitancës së shpenzuar në prodhim gjeneroi 2.69 dollarë në të ardhurat kombëtare të zonave urbane dhe 3.17 $ në zonat rurale. Një rast i rëndësishëm është ai i Greqisë në vitet ’70, ku kontributi i remitancave ishte sa 50% e rritjes ekonomike.

Remitancat e shpenzuara në zonat rurale mund të kenë një efekt më të madh se paratë e  shpenzuara në zonat urbane, pasi ato priren më shumë drejt konsumit të mallrave. Dibra dhe Kukësi janë përfituesit me varësinë më të madhe nga remitancat.

Kukësi dhe Dibra janë qarqet ku remitancat zënë relativisht 16-21% të totalit të të ardhurave të familjeve. Qarku i Kukësit ka shkallën më të lartë të varfërisë në nivelin 24.5%, dhe të ardhurat nga remitancat ndikojnë pozitivisht në reduktimin e varfërisë në këtë qark.

Studime të shumta tregojnë se me kalimin e kohës, këto flukse monetare do të bien. Që efekti pozitiv i tyre të jetë më i gjatë, prioriteti qëndron në kanalizimin e tyre drejt investimeve dhe jo shumë drejt kosnumit.

Shqipëria është një vend kryesisht pranues i remitancave. Nga analizimi i mënyrës së dërgimit vlerësohet nga Banka e Shqipërisë se, 39% e flukseve të kanalizohen përmes kanaleve të parregulluara, ndërsa 57% kalojnë nëpërmjet institucioneve financiare jobanka dhe vetëm 4% nëpërmjet bankave.  Ajo c’ka vëmë re është se remitancat në Shqipëri, edhe në rastet kur kanalizohen në kanale zyrtare dërgimi, konvertohen në cash duke kontribuar në nxitjen e përdorimit të cash-it në ekonominë shqiptare.

Matjet nga Banka e Shqipërisë kanë treguar se cash-i është një instrument i kushtueshëm për ekonominë shqiptare, i cili u kushton ofruesve të shërbimeve të pagesave rreth 0.68% të PPB-së, ndërkohë që për përdoruesit e shërbimeve të pagesave, këto kosto arrijnë deri në 0.8% të PPB-së.

Duhet theksuar në përfundim se remitancat nuk janë përdorur me efikasitetin e duhur, pasi nëse ato do të ishin kanalizuar më tepër në investime atëhere efekti i tyre do ishte shumë më i madh.