Avantazhet dhe Disavantazhet e të bërit Biznes në Shqipëri

Në një sipërmarrje mund të fitosh, por edhe mund të humbasësh. Para se të hapë një biznes, sigurisht është e domosdoshme që sipermarrësi të studiojë tregun paraprakisht me qëllim identifikimin e avantazheve dhe disavantazheve të klimës së biznesit. Identifikimi i qartë i tyre i ndihmon bizneset të marrin vendimet a duhura dhe të jenë të përgatitur për sfidat me të cilat do të përballen.

Disa nga avantazhet thelbësore që ka vendi ynë në përsa i përket klimës së biznesit janë si më poshtë:

  • Treg i vogël dhe praktik

Tregu i vogël, të lejon të bëhesh i njohur shpejt dhe si rrjedhojë të fitosh autoritet më shpejtë. Një treg i vogël dhe i pazhvilluar është i thjeshtë për tu zotëruar dhe të lejon më shumë hapësirë për gabime dhe dështime, pasi dhe këto të fundit janë pjesë e biznesit.

  • Reklamim i lirë online

Nëse doni të bëni biznes, penetrimi i lartë i internetit do jetë një nga avantazhet më të mëdha që mund të keni për të promovuar biznesin tuaj. Aksesi tek kaq shumë përdorues është shumë i mirë për të promovuar biznesin tuaj. Ka shumë praktika për reklamim, por avantazhi kryesor i Shqipërisë ështe reklamimi i lirë online. Megjithëse vihet re një rritje e kostos së reklamimit online, përsëri ato mbeten në nivele mjaft të përballueshme.

  • Shumë probleme, shumë mundësi

Shqipëria është një mal problemesh. Çdo problem që ekziston është një mundësi për të krijuar një biznes. Problemet në Shqipëri janë të shumta, ka probleme ne telekomunikim, ka probleme në transport, ka probleme në turizëm, në hoteleri, në politikë, në ushqim, në tregti, në teknologji apo dhe brënda ambjentit ku ju punoni. Kjo ju jep mundësinë e krijimit të shërbimeve ndihmuese.

  • Taksa të lehta dhe tregti e lirë me shumë vënde të botës

Krahasuar me vënde si Gjermania, Anglia dhe shumë vënde te tjera të zhvilluara, Shqipëria është parajsë fiskale. Tatimi për fitim në Shqipëri është 5% dhe nëse shkojmë tek fqinjët tanë në Kosovë, kemi dhe mundësi të vecanta të tipit shpërndarje dividentësh pa tatim-fitim. Cilido qoftë aktiviteti jonë, të paguash më pak taksa, është gjithmonë një ndihmë e madhe.

  • Tregu i punës është i lirë

Eshtë e thjeshtë ta krahasojmë veten për keq me vëndet e zhvilluara, por mos harrojmë që ka dhe shumë avantazhe. Një rrogë mesatare në Irlande është 2700 Euro. Rroga mesatare në Shqipëri eshtë 375 Euro. Shqiptarët janë popull i zgjuar, dinamik dhe ambicioz. Nëse krijon një ambjent dhe një kutlurë të mirë biznesi, do ketë shumë mundësira për të rekrutuar njërëz cilësor dhe tepër të aftë.

Krahas avantazheve që ofron, të bërit biznes në vendin tonë ka disavantazhet dhe problematikat e saj. Disa nga disavantazhet mund t’i grupojmë si më poshtë:

  • Largimi i vazhdueshëm i fuqisë blerëse

Situata e paqëndrueshme përsa i përket largimit të vazhdueshëm të popullsisë ka bërë që biznesi të jetë në udhëkryq sepse përballet me luhatje të vazhdueshme të fuqisë blerëse duke krijuar kështu paqëndrueshmëri dhe pasiguri tek bizneset.

  • Korrupsioni i adminsitratës

Problematikat e vazhdueshme që lidhen kryesisht me marrëdhëniet midis biznesit dhe administratës shtetërore, kryesisht marrëdhënien me administratën tatimore si dhe proceset gjyqësore. Rryshfetet e kërkuara dhe gjobat e vëna bizneseve konsiderohen si mjaft shqetësuese dhe problematike.

  • Politika fiskale të paqëndrueshme

Ndryshimi i vazhdueshëm i normave tatimore, përfshirja dhe përjashtimi nga skemat tatimore si dhe shpeshherë mungesa e komunikimit nga ana e administratës ka bërë që bizneset të jenë të paqartë mbi politikat tatimore.

  • Probleme me konkurrencën e pandershme

Futja në treg e parave të pista ka bërë që shumë biznese të jenë në prag të falimentimit duke qenë se nuk kanë likuiditetin e nevojshëm për të bërë investime si konkurrentët e tyre.

  • Probleme me gjetjen e punonjësve të kualifikuar

Largimi i popullsisë ka sjellë jo vetëm probleme me zvogëlimin e fuqisë blerëse por gjithashtu problematike është situate në tregun e punës. Bizneset kanë vështirësi në gjetjen e punonjësve të kualifikuar për pozicionin që kërkojnë.

Mbetet në dorën tuaj të peshoni avantazhet dhe disavantazhet.