Trendi i kalimit të kohës në internet
Të dhënat nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), tregojnë se nëse në vitin 2000 interneti përdorej vetëm nga 0,1% e popullsisë, në vitin 2012 ai përdoret nga thuajse 48.1 % e popullsisë. Numri i përdoruesve të Facebook në vend ka arritur në 1.1 milionë në vitin 2014. Sipas të dhënave të publikuara nga Internet World Stat, përdorimi i internetit në Shqipëri arriti në 60.1% të popullsisë në vitin 2014. Tashmë është një realitet i pranuar që shumica e individëve kalon një kohë të konsiderueshme në internet.
Bazuar në rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit (TIK) gjatë vitit 2020, nga grup-mosha 16 – 74 vjeç, e përdorin internetin 72,2 % e popullsisë, nga të cilët 88,2 % e përdorin çdo ditë. Nga kjo grup-moshë, 98,8 % e individëve kanë përdorur aparat celularë / telefona inteligjent (smart) për të hyrë në internet. Ndërkohë 24,4 % e popullsisë e përdorin internetin nëpërmjet laptopit dhe 7,2 % nëpërmjet tabletit. Për këtë grup-moshë, 96,2 % kryejnë thirrje / video thirrje (përmes Skype, Viber, WhatsApp) dhe ky tregues ka shënuar rritje prej 3,9 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2019
Familjet me akses në internet. Përqindja e familjeve shqiptare që kanë akses në internet është 83,3 %, krahasuar me 82,2 % të një viti më parë. 68,7 % ose 440.390 familje kanë akses në internet me rrjet fiks broadband (rrjet optike ose kabllor, ADSL, etj.), tregues i cili ka shënuar rritje prej rreth 12,1 pikë përqindje. Përqindja e familjeve me akses në internet nëpërmjet lidhjes “mobile broadband” (3G/4G, tablet,etj.), është 90,7 %, krahasuar me 88,9 % në vitin 2019.
Sipas një studimi të kryer nga Fondacioni “Friedrich Ebert” në Tiranë, të rinjtë shqiptarë harxhojnë çdo ditë mesatarisht, 2.3 orë duke parë televizor, si dhe 3.9 orë online. 93% e të rinjve shqiptarë, krahasuar me 85% të tyre në sondazhin e kaluar kanë akses të rregullt në Internet. Për atë minoritet të vogël, që nuk ka akses të tillë, faktori vendimtar është statusi ekonomik. 1 në 10 të rinj nga grupi me mundësi më të kufizuara ekonomike nuk ka akses në Internet. Të rinjtë shqiptarë kalojnë një kohë mbresëlënëse online, rreth 3.9 orë në ditë. Për meshkujt kjo kohë është dhe pak më e madhe tek 4.1 orë në ditë.
Ky trend është në një rritje të vazhdueshme nga 3.2 orë të shpenzuara online në vitin 2014 dhe 2.9 orë në 2011. Sasia e kohës e shpenzuar online dikton shumë elemente të jetës së të rinjve, pasi ata e përdorin internetin për shumë qëllime. Përdorimet më të shpeshta të Internetit janë: Rrjetet sociale (87% e përdorin shumë shpesh për këtë qëllim) Komunikimi përmes platformave falas si Skype/ Viber (85% i përdorin shumë shpesh), dëgjimi i muzikës (70%) dhe ndarja e fotove dhe videove me të tjerët (67%). Këto ndiqen nga shkarkimi i filmave (49%); marrja e informacionit të duhur për detyrat dhe projektet e shkollës (48%) dhe lojërat online (38%).