Ecuria dhe ndikimi i normës së fitimit tek IHD në Shqipëri

(1992-2019)

Të gjithë ekspertët fiskalë edhe politikëbërësit bien dakord në lidhje me rëndësinë e mbledhjes dhe përdorimit të drejtë dhe eficient të të ardhurave tatimore.

Shqipëria aplikon një sistem tatimor kryesisht të thjeshtë dhe barrë të ulët tatimore, por shpërndarja e barrës tatimore, mbledhja e tatimeve, kontrolli tatimor dhe masat shtrënguese ka vend të përmirësohen më tej. Ndryshimet e vazhdueshme në legjislacionin dhe procedurat tatimore, niveli i ulët i edukimit të tatimpaguesve dhe mungesa e profesionalizmit kanë çuar në një sistem tatimor të dobët me nivele të larta pasigurie. Si pasojë biznesi ndjehet i pasigurt për të ardhmen dhe për vizitat e papritura nga administrata tatimore.

Shpërndarja e padrejtë e barrës tatimore dhe mungesa e qetësisë në dispozitat ligjore dhe zbatuese janë aspektet më të dobëta të Sistemit Tatimor Shqiptar në vite. Edhe pse mund të ketë një rënie të normave bazë të tatim fitimit përsëri nuk shihet ndonjë efekt i këtij zvogelimi mbi Investimet e huaja ne vendin tonë. Shqipëria ka një hyrje të IHD neto (8,3% të PBB) edhe pse ka barrë tatimore ndër më të ulëtat në Evropë, rreth 23.5% të PBB.

Kur analizojmë efektin e barrës tatimore në përqindje të prodhimit të brendshëm, vërehet se vendet me IHD më të lartë nuk kanë të njëjtën ecuri me barrën tatimore. Arsyeja e mospërkimit të shkallës tatimore në vite dhe investimeve të huaja është pasqyrimi më i mirë i rolit që ka në radhë të parë klima e biznesit për investime në një vend të caktuar krahasur me ndikimin që ka norma e tatimit. Politika fiskale ka ndër rolet kryesore për të thithur investimet, por kjo ndodh pasi kushtet dhe rregullat për tregun perceptohen nga investitorët sipas indekseve për investim me situata pozitive dhe mbi nivelet mesatare të tyre.

Perceptimi se normat e ulta të tatimeve tërheqin IHD ka ndikuar jo pak politikëbërjen e qeverive në Ballkan në kohët e fundit. Nga pikpamja teorike, nëse një vend aplikon norma të ulta të tatimit mbi fitimin bëhet më tërheqës për të tërhequr fitimet e kompanive investitore, por gjithsesi ky nuk është faktori vendimtar nëse nuk shoqërohet edhe me ndryshime të tjera të kushteve ekonomike dhe ligjore.

Shqipëria dhe Kosova janë të krahasueshme në politikat e tyre me vendet e tjera të Ballkanit, por kanë problematika të korrupsionit dhe kapaciteteve jo të përshtatshme.

Ajo cka mund te shohim nga grafiku është përafërsisht e njëjta tezë e shpjeguar më sipër. Shohim se nuk ka një lidhje të fortë midis rënies së normës së tatimit dhe rritjes së ndjeshme të nivelit të investimeve të huaja direkte. Me përjashtim të disa viteve ku peshën kryesore e zë investimi ne vepra madhore si gazsjellësi tap etj. Nga krahasimi i treguesve të investimeve me normat tatimore mbetet e paqartë nëse duhet ulur një norma tatimore me qëllimin për të tërhequr vëmendjen e investitorëve për të rritur investimet.

Nëse nisemi nga logjika e vendeve të zhvilluara ekonomike, mund të vërehet se nëse ekonomia mbështetet mbi një infrastrukturë të zhvilluar, zhvillohet mbi një treg relativisht të madh, atëherë konkurenca e normave tatimore fiton avantazhe. Pra nëse nuk e shoqërojmë uljen e tatim fitimit me përmirësim të klimës së biznesit dhe treguesve të tjerë ligjor dhe ekonomik, do kemi një zhvlerësim të efekteve potenciale që mund të sjellë. Një barrë e ulët tatimore nuk mund të kompensojë një ambjent aspak tërheqës për investitorët e huaj.

Shumë nga vendet kanë ulur normat e tatimit mbi fitimin, si rruga më e shkurtër për të arritur objektivat për investimet, por shumë pak ka ndikuar në tërheqjen e vazhdueshme të investimeve të huaja. Ulja e normave tatimore ka tendencën të jenë me kosto të lartë për buxhetin, pasi të ardhurat që i hiqen buxhetit prish konkurencën e ndershme në vend, por kthehet edhe në një barrë të shtuar për segmente dhe grupe të caktuara të tatimpaguesve, pasi janë ata që duhet të kompensojnë këtë rënie në të ardhmen.

Si përfundim mund të theksojmë se mbajtja e normave të ulta të tatim fitimit është e pamjaftueshme për të tërhequr investime të larta. Me qëllim rritjen e investimeve duhet që normat e ulta të shoqërohen me përmirësim të klimës së biznesit në përgjithësi.